U-19, Shqipëri vs. Itali. Lala kërkon më shumë punë me të rinjtë

06/01/2015 00:00

Miqësorja e kombëtares tonë U-19 me moshatarët e tyre italianë, të martën në “Elbasan Arena”, do të startojë dhe sezonin futbollistik për vitin 2015.

Në listën e lojtarëve të grumbulluar bie në sy që numri i futbollistëve që luajnë në Shqipëri është vetëm 3, ndërkohë që pjesa tjetër luajnë në Greqi, Itali, Gjermani apo dhe Spanjë. Shkak për këtë zgjedhje të trajnerit Altin Lala është diferenca që ka futbolli shqiptar me atë europian.

“Diferenca është në mënyrën e stërvitjes, mentaliteti… Klubet duhet të punojnë më shumë me të rinjtë. Nuk mund të presim nga Federata, pasi nuk ka asgjë në dorë. Ne jemi seleksionues, ne nuk bëjmë futbollistë”, u shpreh Lala.

Drejtori i ekipeve kombëtare, Redi Jupi, thekson se lojtarët që kalojnë moshën 18 vjeç duhet të bëjnë të pamundurën që të gjejnë hapërisa në ekipet e Superligës, pasi është shumë e kushtueshme që të ngrihen kampionate profesioniste U-21 dhe U-23.

“Nëse lojtarët e rinj nuk gjejnë hapësira në klubet tona të Superligës, atëherë do të jetë shumë e vështirë t’i mbajmë të vegjetojnë nëpër kampionate të rinjsh. Është një kosto shumë e madhe për të mbajtur shumë pak elementë, të cilët ndoshta mund të piqen më vonë. Nuk ia vlen investimi”, shpjegoi Jupi.

Në eleminatoret e Euro 2016 për U-19, kuqezinjtë e drejtuar nga Lala bëjnë pjesë në grupin 8 dhe kundërshtarët e tyre janë Austria, Gjeorgjia dhe Uellsi.  

Top Channel