Ermir Lenjani pranë kalimit te Rennes në Francë

06/01/2015 00:00

Pas Andi Lilës edhe Ermir Lenjani është shumë pranë ndryshimit të ekipit në merkaton e janarit. Pavarësisht interesimit të shumë skuadrave italiane dhe gjermane, ai ka vendosur të vazhdojë karrierën e tij në Francë te Rennes.

Lajmi është konfirmuar nga  trajneri i ekipit frances, Jeff Saibenen, i cili është shprehur se shqiptari Ermir Lenjanit ka nënshkruar me skuadrën e Rennes, duke u bërë blerja e parë në merkaton dimërore. Ndërkohë mediat në Francë zbulojnë se skuadra e Rennes ka qenë e detyruar për blerjen e një lojtari anësor, pasi për rreth një muaj do të mungojë Cheick M’Bengue, i cili është grumbulluar nga Senegali në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Lenjani, i cili mund të cilësohet si një zbulim në Kombëtaren tonë gjatë vitit 2014, me paraqitjet e tij fantastike në ndeshjen ndaj Portugalisë, Danimarkës, Francës dhe Italisë, ishte pjesë e zviceranëve të Saint Gallen që prej 2012, duke u aktivizuar me ta në 61 ndeshje ku ka shënuar edhe dy gola.

Rennes renditet në mesin e tabelës së Ligue 1, në vendin e 8 me 28 pikë.

Pak ditë më parë edhe lojtari tjetër i Kombëtares së Shqipërisë, Andi Lila ndryshoi ekip, duke kaluar nga grekët e Pas Giannina për te Parma ne Serinë A, ku sot pritet të bëjë debutimin me klubin e tij të ri në ndeshjen ndaj Fiorentina-s.

Top Channel