Ikën edhe Puyol, ndihmësi i Zubizarretas: Do të kthehem sërish

05/01/2015 00:00

Ish-qendërmbrojtësi i Barcelonës deri në fund të sezonit të kaluar, Carles Puyol, i cili iu bashkua Sekretariatit Teknik si ndihmës apo zëvendës i drejtorit sportiv, Andoni Zubizarreta, ka njoftuar përmes profilit të tij të Facebook vendimin për t’u larguar nga posti aktual.

“Përmes kësaj deklarate, dua të njoftoj vendimin tim për t’i dhënë fund marrëdhënieve të punësimit me klubin e futbollit të Barcelonës”, lexohej në fillim të fjalëve të publikuara në rrjetin social.

Puyol mban mbi supe një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe kërkoi ta shfrytëzonte atë edhe në drejtimin teknik të klubit, por siç shprehet dhe vetë ai:

“Këto tre muaj e gjysmë më kanë dhënë mundësinë të shoh edhe anën tjetër të klubit, nga ku kam mësuar shumë. Jam mirënjohës dhe falënderoj klubin për këtë mundësi, por tashmë dua të provoj eksperienca të reja në perspektiva të ndryshme, diku tjetër”.

“Dua të rritem edhe më tej personalisht dhe profesionalisht, në mënyrë që në të ardhmen – siç shpresoj – të rikthehem në këtë shtëpi të madhe të t’iu rikthej mbrapsht gjithë mbështetjen që më keni dhënë përgjatë këtyre viteve të paharrueshme”, thotë Carles Puyol, i cili të ardhmen e afërt ndoshta e ka të papërcaktuar, por atë të largtën kërkon ta ketë sërish të lidhur me katalanasit.

Në fund falënderon edhe kolegët e tij, duke u shprehur se “është shumë mirënjohës ndaj punëdhënësve, drejtorëve, presidentit dhe menaxhimit të klubit, që kanë besuar tek ai dhe e kanë ndihmuar në këtë fazë tranzicioni jo të lehtë për të, por mbi të gjitha përmend tifozët, për përkrahjen që i kanë dhënë gjatë kohës kur luante në fushë”.

“Jeta ndonjëherë nuk është ashtu siç do të donim ne të ishte, e megjithatë jam vërtetë me fat që kam ndierë kaq shumë dashuri gjatë këtyre viteve, ndaj mund t’iu them vetëm falemnderit të gjithëve dhe t’iu premtoj se do t’iu mbaj në zemër përgjithmonë. Forca Barça”.

Top Channel