Dagestan, vritet lojtari 20-vjeçar i Anzhit, Gasan Magomedov

05/01/2015 00:00

Një lojtar tepër i ri dhe premtues i klubit rus të futbollit, Anzhi Makhachkala, është qëlluar për vdekje në rajonin rus të Kaukazit Verior, gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës.

Gasan Magomedov ishte duke udhëtuar me makinë drejt shtëpisë së familjes së tij, kur automjeti ra pre e “një sulmi me armë automatike”, sipas deklaratës së publikuar në faqen e internetit të klubit.

Prindërit e 20-vjeçarit dëgjuan të shtënat dhe nxituan drejt mjetit për të dhënë ndihmë, por panë që aty ishte i biri i tyre, i cili ndërroi jetë teksa transportohej për në spital. Klubi shtoi se policia lokale ende nuk ka zbardhur motivet e këtij krimi, apo të dyshuarit e vrasjes.

Sulmi ndodhi në Dagestan, një rajon i Rusisë që së fundi është vendosur në fokusin e kryengritjeve islamike. Prej vitesh, lojtarët kryesorë të Anzhit jetojnë dhe stërviten rregullisht në Moskë, ndërsa shkojnë në Dagestan vetëm për të zhvilluar ndeshjet “brenda”.

Drejtori i përgjithshëm i Anzhit, Sergey Korablev, tha ndër të tjera se “i ofrojmë ngushëllimet e sinqerta familjes së Gasanit. Shpresojmë që organet ligjzbatuese të vendit të kapin sa më shpejt vrasësit, të cilët duhen nxjerrë përpara drejtësisë për të marrë ndëshkimin e merituar. Pavarësisht përpjekjeve për të destabilizuar situatën, ne do të vazhdojmë të jetojmë dhe punojmë me qëllimin parësor, atë të një Dagestani paqësor”.

Përgjatë viteve të fundit, Anzhi ka milituar edhe në kategorinë më të lartë të futbollit rus, si dhe ka tërhequr disa lojtarë të mëdhenj si Samuel Eto’o, Willian apo Roberto Carlos. Megjithatë, në vitin 2014, klubi ra në kategorinë e dytë të Rusisë, pasi miliarderi Suleman Kerimov tërhoqi mbështetjen financiare ndaj klubit dhe shumë lojtarë u larguan.

Top Channel