Allegri: Fiton ai që është më i përqendruar

05/01/2015 00:00

Massimiliano Allegri kërkon që Juventusi të harrojë humbjen në Superkupën e Italisë ndaj Napolit dhe të përqendrohet sërish në kampionat, aty ku pas pushimeve të fundvitit pret supersfida me Interin (të martën, në orën 21:00).

“Skuadra ka ardhur e karikuar mirë pas pushimit. Nesër, përveç faktit që është një ndeshje klasike, është edhe një ndeshje ndaj një skuadre që ka bërë progres kohët e fundit, ka rigjetur besimin te vetja dhe që është e rrezikshme mbi të gjitha”, tha Allegri në konferencë për shtyp.

Trajneri i bardhezinjve deklaroi gjithashtu se ndeshja e parë e vitit është gjithmonë shumë e vështirë: “Mjafton të shohësh rezultatet e Realit dhe Barcelonës, ndeshja e parë e vitit është një ndeshje e çuditshme ku merr fitoren ai që është më i përqendruar. Nuk është çështje e formës fizike apo nivelit teknik, ka rëndësi vetëm mendja.”

Top Channel