Schumacher feston 46-vjetorin, urime nga Ferrari dhe Maradona

04/01/2015 00:00

Michael Schumacher ka festuar 46-vjetorin e lindjes, ndërkohë që urimet nuk i kanë munguar nga e gjithë bota, duke nisur nga Ferrari e deri te Maradona.

“Gëzuar ditëlindjen Michael. Të gjithë te Ferrari dhe tifozët e tij anembanë botës duan t’i shprehin sërish mbështetjen e fortë kampionit gjerman, i cili ka kontribuuar kaq shumë në prestigjin e fituar prej ‘shtëpisë së Maranellos’ falë sjelljes së tij në pistat e garimit”, lexohet në faqen e internetit të skuderisë italiane.

“Një vit më parë, vetëm pak ditë pas incidentit të ndodhur në Meribel, një delegacion tifozësh të organizuar kishin çuar ‘shpirtin e madh të Ferrarit’ (GCF) poshtë spitalit të Grenobles, për të dëshmuar edhe njëherë dashurinë e gjithë tifozëve të kokëkuqes. Këtë vit, Michael do ta kalojë ditëlindjen e tij i rrethuar nga të dashurit e tij më të afërt, në shtëpinë e tij, ku vijon çdo ditë procesin e rehabilitimit. Nga të gjithë tifozët e Ferrarit, por dhe shumë tifozë të tjerë në mbarë botën, sërish urime për të dhe gjithmonë Forca Michael”, mbyllej deklarata e Ferrarit.

Ndërkohë, ka reaguar edhe ylli i futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona, i cili nëpërmjet një mesazhi në Facebook i dërgon urimet e tij ish-pilotit të “kokëkuqes”, 7 herë kampion bote në Formula 1.

“Sot është ditëlindja e 46 e Michael Schumacher. Forca Schumi!!!”, ka qenë dedikimi i “El Pibe de Oro”, i cili e ka shoqëruar atë me një foto të bërë së bashku me pilotin, në kohën kur gjemani garonte për Benetton Renault. Të shumtë kanë qenë edhe sportistë të tjerë që e kanë kujtuar këtë përvjetor të Schumit, duke nisur nga ish-kolegë të tij si Felipe Massa.

Top Channel