Inzaghi “leksion” Ancelotti-t, Milani i shënon 4 gola Realit

30/12/2014 00:00

Reali i Madridit, i drejtuar nga italiani Ancelotti, mbërriti në Dubai për të zhvilluar miqësoren e luksit ndaj Milanit, me një rekord prej 22 fitoresh radhazi në këtë edicion, por ndaj kuqezinjve ata nuk arritën fitoren e radhës.

Filippo Inzaghi e nisi pjesën e parë me Menez dhe Stephan El Sharaawy në sulm, ndërsa Reali i Madridit zbriti në fushën e lojës me shumë ndryshime, ku të vetmit titullarë në formacionin e Ancelottit ishin Ronaldo dhe Isco.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 23-të nga francezi, Menez, i cili kaloi kuqezinjtë në avantazh, ndërsa 7 minuta më vonë El Shaarawy dyfishoi shifrat. Portugezi Ronaldo ishte ai që ngushtoi diferencën që në pjesën e parë.

Dy ekipet bënë ndryshime të mëdha në formacion me fillimin e pjesës së dyte, por Milani shënoi edhe dy gola të tjera, me El Shaarawy-n dhe Pazzini-n, ndërsa Reali shënoi golin e dytë me Benzema nga pika e penalltisë.

Kampionët e Botës nuk dhanë maksimumin e tyre në fushë, duke i dhënë mundësinë Milanit të kënaqet me një trofe pak të rëndësishëm siç është “Dubai Challenge Cup”.

Top Channel