Inter kërkon Podolskin. Lojtari duket i gatshëm, por Wenger frenon

26/12/2014 00:00

Dy ekipet e Milanos duken tepër të angazhuara në lëvizjet e radhës në merkato, sidomos kur bëhet fjalë për repartin e sulmit. Milan duket shumë pranë këmbimit Cerci-Torres, ndërkohë që Inter bën gati kundërpërgjigjen, që mban emrin Podolski.

Sulmuesi 29-vjeçar gjerman, i cili aktivizohet tek Arsenali i Londrës, duket se nuk është më në qendër të projektit të “topçinjve”, pasi është aktivizuar vetëm 12 ndeshje këtë sezon edhe pse ka shënuar 3 gola në Champions.

Drejtori teknik i Interit, Ausilio, duket se e ka vendosur si objektiv parësor për ta pasur në Milano, madje i gatshëm është edhe vetë lojtari, por fillimisht do të kërkohet si i huazuar deri në qershor të vitit 2015.

Tratativat janë në zhvillim e sipër, pavarësisht faktit se Arsenali kërkon t’i rezistojë ofertës, ndërsa Arsene Wenger preferon më shumë të shesë Sanogo e të mbajë Podolskin. Gjermani do të ishte një përforcim tepër i nevojshëm për Mancinin, duke nisur që nga janari i vitit të ri.

Top Channel