Zola-Casiraghi, dyshja që priten të shpëtojnë Cagliarin

25/12/2014 00:00

Gianfranco Zola do të rikthehet në krye të një ekipi dhe ky do të jetë Cagliari i Serie A. Sardët njoftuan emërimin e ish-sulmuesit dhe trajnerit-lojtar të Chelseat, i cili e mbylli karrierën e tij futbollistike në Sardenjë në vitin 2005, përmes një deklarate zyrtare në faqen e klubit në internet.

Cagliari bëri të ditur se 48-vjeçari do të zhvillojë seancën e parë stërvitore kur ekipi të rikthehet nga pushimi për Krishtlindje, të dielën. Kjo do të jetë pankina e radhës për Zolan, pasi la atë të Watfordit në vitin 2013. Klubi sard nuk dha asnjë detaj mbi kontratën e tij, por tha se ndihmës i tij do të jetë një tjetër sulmues i Italisë dhe i Chelseat, Pierluigi Casiraghi.

“Të dy ata, Zola dhe Casiraghi, do të ofrojnë eksperiencën e tyre ndërkombëtare dhe mentalitetin e tyre fitues në dispozicion të klubit dhe ekipit, për të arritur ato rezultate të aq shumë dëshiruara prej tifozëve të Cagliarit”, thuhej në deklaratën e klubit.

Zola zëvendëson kështu Zdenek Zeman, i cili u shkarkua të martën. Ish-sulmuesi, i cili ishte si një hero te Chelsea pas 7 viteve në “Stamford Bridge”, ka marrë përsipër një detyrë të vështirë, për ta shpëtuar ekipin nga rënia një kategori më poshtë.

Top Channel