Inter, dhurata e Vitit të Ri për Mancinin? Vendi i tretë

24/12/2014 00:00

“E kam vendosur, do të shkoj atje”, shprehet Mancini në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, por për ku e ka fjalën tekniku i Interit?

“Nëse sigurojmë kualifikimin për në Champions, gjë që unë e besoj me vendosmëri të madhe, do të shkoj në Katedralen e Santiago de Compostelas me biçikletë”, shprehet ai. Sigurisht që për këtë “do të duhet shumë pedalim”.

Ky është versioni “Mancio” për Krishtlindje, i cili në takimin e gjatë dhe të hapur ndaj pyetjeve të gazetarëve nuk bën asnjë “shmangie”. Flet për shumë tema dhe disa ekipe që ka drejtuar, por kujton edhe periudhën e kaluar nën drejtimin e zikaltërve, të cilën e mban ende në zemër.

“Është e vështirë të rifitohet gjithçka që është fituar 10 vjet më parë, do të duhet kohë, punë, programim dhe shumë vëmendje. Megjithatë, e rëndësishme është të kthehemi te fitorja, kështu e mendoj dhe e theksoj me forcë. Pengesat më të mëdha në këtë rrugëtim do të jenë si gjithnjë: Juve, Roma, Milan, por edhe Napoli që është përmirësuar shumë”, thotë Mancini.

Sigurisht që objektivi kryesor i tij është rikthimi në Champions. “Absolutisht, përse jo? Nëse arrijmë të kualifikohemi në atë kompeticion do të shkoj në Santiago de Compostela, premtoj për këtë. Pavarësisht se për këtë nevojiten përforcime në merkato dhe rregulli i “fair-play”-t financiar është një pengesë, klubi më ka ofruar gjithë disponibilitetin e mundshëm për aq sa mund të bëjë”, tregon trajneri i Interit.

Më tej, pasi e kanë ngacmuar mbi emrat e mundshëm të përforcimeve, Mancini është përgjigjur se do të donte 2 ose 3 “dhurata” për Vitin e Ri, pse jo duke nisur që nga Cerci:

“Është lojtar i fortë dhe i rëndësishëm, madje më duket sikur ka kuptuar që duhet të kthehet në Itali. Do të duhet një goditje me fat për ta rrëmbyer nga konkurrentët e tjerë”. Ndërkohë që një mendim e ka edhe te Lavezzi i PSG-së, të cilin e konsideron “një lojtar të madh dhe njohës të mirë të Serie A, por ai mbetet ende një lojtar i parizienëve”.

Top Channel