Suedi, renditja që e zbret Ibrën të dytin: Është njësoj si të isha i fundit

23/12/2014 00:00

Nuk ka mbetur kush që nuk e di faktin se Zlatan Ibrahimovicit nuk i pëlqen aspak të humbasë. Por, këtë herë, sulmuesi suedez ka pësuar goditjen e radhës, duke zbritur i dyti në klasifikimin e sportistëve më të mëdhenj suedezë të të gjitha kohërave. Dhe në mënyrën më klasike të sjelljeve të tij, Ibra nuk ka bërë asgjë për ta fshehur pakënaqësinë e tij.

Klasifikimi, i publikuar nga faqja suedeze e internetit “Dagens Nyhether” pas votimit të një jurie të apasionuarish dhe personalitetesh sportivë, e vendos Ibrahimovicin pas krahëve të Bjorn borg, fitues i 11 eventeve “Grand Slam” (6 “Roland Garros” dhe 5 “Wimbledon”). I marrë në pyetje nga një gazetë suedeze, Ibra është shfaqur i pakënaqur për vendin e dytë në këtë radhitje speciale.

“Falemnderit, por të dalësh i dyti është si të dalësh i fundit – është shprehur Zlatan, i cili më pas ka shtuar edhe batutën e radhës, – me gjithë respektin që kam për të tjerët, në atë listë unë duhej të kisha qenë në vendet 1, 2, 3, 4 dhe 5 (duke nënkuptuar se të tjerët janë shumë larg tij)”.

Në fakt, edhe Bjorn Borg, jo më larg se disa javë më parë, i kishte shprehur elozhet e veta për bashkëkombasin e tij futbollist, duke konfirmuar se “Zlatan është suedezi më i njohur në botë, e ndoshta me siguri më i njohur se ç’mund të kisha qenë unë në kohën e tij”. Komplimente këto, të cilat Ibra i ka pranuar me kënaqësi, madje duke ia rikthyer elozhet ish-numrit 1 në botë sa i përket sportit të tenisit.

Zlatan nuk ka pasur aspak problem të pranojë madhështinë e tenistit, duke konfirmuar se “Borg është një legjendë e gjallë”. Megjithatë, nga sjellja e tij duket se është një legjendë e pamjaftueshme për t’i rrëmbyer vendin e parë.

Klasifikimi i 5 suedezëve më të famshëm në renditjen speciale:

1 – Bjorn Borg (tenist, 1956)
2 – Zlatan Ibrahimovic (futbollist, 1981)
3 – Jan-Ove Waldner (ping-pongist, 1965)
4 – Annika Sorenstam (golfiste, 1970)
5 – Ingemar Stenmark (skiator, 1956)

Top Channel