De Biasi: Kualifikimi i vështirë, shumë e rëndësishme ndeshja ndaj Armenisë

23/12/2014 00:00

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, i cili ishte i pranishëm në mbrëmjen gala të FSHF, foli në një lidhje direkte në Procesin Sportiv në Top Channel.

Gianni De Biasi e cilësoi të vështirë kualifikimin për në “Francë 2016” dhe vlerësoi, po ashtu si zoti Duka, ndeshjen ndaj Armenisë si shumë të rëndësishme për ecurinë e këtyre eliminatoreve.

“Nuk është e lehtë. E kemi nisur mirë, por në ndeshjen me Serbinë nuk morëm atë që merituam në fushën e lojës. Tani do të presim vendimin e KAS-it. Kemi zhvilluar vetëm tre ndeshjet e para të eliminatoreve dhe asgjë nuk është e sigurt për vazhdimësinë. Kemi për të luajtur edhe 5 ndeshje të rëndësishme. Ndeshja e radhës është jashtëzakonisht e rëndësishme, ajo ndaj Armenisë në “Elbasan Arena” më 29 mars të 2015-ës. Armenia nuk është një skuadër e lehtë, mbi të gjitha ka një lojtar si Mkhitaryan, i cili është mes më të mirëve të Europës”, është shprehur De Biasi.

Blendi Klosi, i cili ishte i ftuar në emision, iu drejtua zotit De Biasi duke i thënë se ndihej i zhgënjyer nga deklarata pasi, sipas tij, tani prisnim që trajneri ta cilësonte kualifikimin një detyrim, pavarësisht nëse do të realizohej apo jo.
 
Por italiani i është përgjigjur duke thënë se rruga është ende e gjatë deri në ndeshjen e fundit atë ndaj Armenisë dhe se “shqiptarët janë njerëz që entuziazmohen menjëherë dhe e përjetojnë shumë dështimin”.
 
Trajneri i Kombëtares u pyet nëse në Shkodër ishte për të vëzhguar lojtarët e Vllaznisë apo të Skënderbeut, ai u përgjigj që më shumë kishte pasur si synim të shihte stadiumin “Loro Boriçi”, i cili është një mundësi ku Kombëtarja mund të luajë ndeshjet eliminatore.

“Isha në Shkodër për të parë edhe stadiumin, pasi është një mundësi që mund të luajmë edhe atje ndeshjet tona eliminatore, por të shohim. Ishte në eksperiencë e bukur, pasi më pëlqeu atmosfera e krijuar nga tifozët vendas të cilët kishin mbushur stadiumin. Gjithashtu në Shkodër kam parë edhe një ndeshje të bukur mes dy ekipeve”, shtoi Gianni De Biasi.

Top Channel