Begaj: Do të ndjek hapat e radhës, ofroj edhe ADN-në për analiza

19/12/2014 00:00

Në edicionin qendror të lajmeve, pas lajmit për rezultatin edhe të testit B antidoping, ka ndërhyrë në një lidhje telefonike vetë peshëngritësja shqiptare Romela Begaj, e cila duke këmbëngulur sërish se nuk e ka përdorur substancën për të cilën akuzohet, shpjegoi edhe hapat e radhës që do të ndjekë.

Ilir Paço: Pas lajmit se kanë ardhur edhe rezultatet e testit B antidoping, që rezultojnë sërish pozitive, çfarë do të thotë kjo për ju?

Romela Begaj: Kjo përgjigje nuk është përfundimtare, që unë jam e dënuar apo jam e dopuar me këtë lloj substance, për më tepër që është e turpshme që kam rezultuar si përdoruese dhe më kanë akuzuar pikërisht për këtë substancë. Kjo substancë nuk është përcaktuar nëse unë e kam pirë, jam në proces dhe pritet brenda 2-4 javësh të shkoj në panelin dëgjimor. Këta më kanë dhënë një shans dhe në qoftë se aty nuk më nxjerrin që unë jam e pastër dhe nuk e kam përdorur, atëherë jam e gatshme të bëj gjithçka.

Ilir Paço: Çfarë hapash do të ndiqni pasi rrezikoni një pezullim dyvjeçar nga çdo aktivitet ndërkombëtar?

Romela Begaj: Nuk kam qenë në Shqipëri dhe kam dëgjuar shumë polemika dhe shumë baltë që është hedhur mbi trajnerin Luan Shabani. Më vjen keq, ai person ka qenë me mua në Gjermani, më ka ndihmuar dhe më ka qëndruar pranë, dhe përsëri them se ai është i pastër në këto punë, nuk ka gisht për dopingun në Shqipëri. Nuk ka gisht as te Romela, por është pikërisht ai person që po na çon deri në përfundimin që të dalë e drejta jonë. Unë mund të them se me të vërtetë jemi të pastër.

Ilir Paço: Po nëse edhe te paneli dëgjimor nuk arrini t’i bindni me provat tuaja, çfarë do të bëni më tej?

Romela Begaj: Po, hapi i mëtejshëm dhe për këtë deklaroj se jam e gatshme, është të jap ADN-në time, pasi kjo është prova më e rëndësishme ku mund të kontrollohet për 1 vit se çfarë kam pirë apo kam marrë ekstra në trupin tim. Jam e gatshme të bëj denoncim edhe në gjykatën e CAS-it. Këtë goditje unë do ua jap dhe nuk kam frikë nga askush, sepse jam e bindur që nuk e kam përdorur këtë substancë.

Top Channel