FIFA do të publikojë raportin e plotë të prokurorit Garcia

19/12/2014 00:00

Drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s kanë rënë dakord unanimisht për të publikuar një “version ligjërisht të përshtatshëm” të raportit mbi akuzat për korrupsion në kandidimin e dy Botërorëve, 2018-2022.

Gjithsesi, trupa qeverisëse e futbollit botëror këmbënguli se Rusia dhe Katari do të mbeten vende organizatore të dy edicioneve të ardhshme të këtij kompeticioni. Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, tha se i kishte kërkuar Komitetit Ekzekutiv të votonin në favor të publikimit të raportit.

“Kemi qenë gjithnjë të vendosur për të shfaqur dhe bërë të ditur të vërtetën, – tha ai. – Për këtë arsye kemi ngritur një Komitet të pavarur të Etikës, me një dhomë hetimore, e cila ka të gjitha mënyrat e mundshme në dispozicion për të ndërmarrë hetime me nismën e saj”.

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini kishte bërë thirrje për publikimin e raportit të Garcias sa më shpejt të ishte e mundur. “Gjithmonë kam luftuar për transparencën dhe ky hap është hedhur në drejtimin e duhur. Le të shpresojmë që raporti të publikohet sa më shpejt të mundet. Besueshmëria ndaj FIFA-s varet nga ky raport”.

Vetëm një përmbledhje e shumëdebatuar e raportit prej 430 faqesh të Michael Garcias ndaj procesit të dorëzimit të të drejtës për organizim të Botërorëve 2018 dhe 2022, është publikuar deri më tani. Nxjerra e të gjithë raportit, i cili pritet të jetë redaktuar ndjeshëm për të ruajtur konfidencialitetin e dëshmitarëve, shënon një ndryshim në politikën e FIFA-s.

Gjithsesi, ai do të publikohet vetëm pasi hetimet e nisura ndaj 5 individëve, të cilët janë Angel Maria Villar, një ish-zv.president i FIFA-s; belgu Michel D’Hooghe; tajlandezi Worawi Makudi; ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Franz Beckenbauer; si dhe ish-lideri i Federatës kiliane, Harold Mayne-Nicholls; të përfundojnë.

Top Channel