Thierry Henry tërhiqet nga futbolli

16/12/2014 00:00

Thierry Henry ka njoftuar sot tërheqjen e tij nga futbolli pas një karriere 20-vjeçare me skuadra si Monaco, Juventus, Arsenal, Barcelona dhe New York Red Bulls.

Përmes një komunikate të publikuar në profilin e tij në Facebook, francezi theksoi se karriera e tij ka qenë “një udhëtim i pabesueshëm” dhe falenderoi të gjithë tifozët e klubeve në të cilat ka luajtur dhe ata të kombëtares franceze për mbështetjen që i kanë dhënë.

Gjithashtu, ish-sulmuesi zbuloi se do të kthehet të jetojë në Londër dhe do të nisë karrierën si komentator sportiv.

Thierry Henry është golashënuesi më i mirë i Francës (51 gola) dhe lojtari i dytë me më shumë ndeshje i “Gjelave” (123), por kurrë nuk arriti të duhej nga tifozët aq sa Zinedine Zidane. Me fanelën e Francës ai ka fituar një Botëror (1998), një Europian (2000) dhe një Kupë Konfederatash (2003).

Top Channel