Vrau gruan, e detyroi të pinte fotoksinë, Prokuroria e çon në gjykatë

14/12/2014 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi për gjykim Tomorr Zeqon nga Ura Vajgurore, të akuzuar për veprën penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Sipas Prokurorisë, nga hetimi ka rezultuar se Zeqo, mesnatën e 4 gushtit të këtij viti, ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij Mimoza, dhe e detyroi atë më pas të pijë me dhunë fotoksinë.

Prokuroria ngre dyshimin se shkak i këtij krimi ka qenë fakti, që i pandehuri e akuzonte bashkëshorten e tij për tradhëti.

Nga veprimet proceduriale, rezultoi se Zeqo e detyroi të shoqen të pijë helm në orën 2 pas mesnate dhe, pavarësisht kërkesës së saj për ta çuar në spital, ai nuk pranoi. Katër orë më vonë, ai lajmëroi familjarët e saj ta dërgonin për të marrë ndihmë mjekësore.

Gruaja u rrëfeu të afërmve krimin dhe nuk mundi të mbijetojë. Zeqo ka qenë i dënuar më parë për tentativë vrasjeje.

Top Channel