Bundesliga, Bayern shkon +10, Dortmundi zbret sërish në zonën e ftohtë

14/12/2014 00:00

Bundesliga njeh vetëm një ekip të pamposhtur në këto 15 javë të para të kampionatit gjerman, teksa gjigantët bavarezë të Bayern Munchenit kanë rritur distancën me ndjekësit më të afërt në 10 pikë, pas “pokerit” të shënuar ndaj Augsburgut të vendit të tretë.

Në “SGL Arena”, vendasit i mbijetuan sulmit vdekjeprurës të bavarezëve për vetëm 60 minuta, e më pas Benatia shënoi golin e tij të parë për Bayernin, ndërkohë që një “breshëri” golash erdhën brenda 13 minutash: 3 të tillë nga Robben (dygolësh) dhe Lewandowski, të cilat i siguruan fitoren e 12-të në këtë sezon ekipit.

Në pritje të ndeshjes së Wolfsburgut, që do të luajë me Paderbornin ditën e sotme, një tjetër rival i vjetër i Bayernit, Borussia Dortmund, ka seleksionuar humbjen e radhës, të nëntën në këtë sezon, ndaj Hertha Berlinit.

Dortmundi mund të ketë avancuar për në fazën e 1/8-ave të Championsit si fitues i grupit, por në Bundesliga ata gjenden ende në ujërat e zonës së ftohtë të klasifikimit, ndërkohë që humbjen në Berlin ua shkaktoi Julian Schieber, një ish-lojtar i ekipit të Jurgen Klopp. Ata gjenden të tretët nga fundi (vendi i 16) dhe, kur janë zhvilluar 15 ndeshje, kanë grumbulluar vetëm 14 pikë.

Në ndeshjet e tjera, Werder Bremen barazoi 3-3 me Hannoverin në “Weserstadion”. Schalke e Roberto Di Matteos pësoi humbjen e parë në shtëpi që kur italiani mori drejtimin e klubit, teksa Këlni triumfoi 2-1 në “Veltins Arena”. Ndërsa Stuttgarti barazoi 1-1 ndaj Mainzit, por sërish mbetet i fundit në klasifikim.

Top Channel