Kur femrat zëvendësonin meshkujt në futboll

13/12/2014 00:00

Nëse mendoni se futbolli për femra është sot më popullor se kurrë, gaboheni. Sporti më i përhapur në botë kulmin e vet për këtë gjini e ka patur gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, kur në stadiume mblidhte deri në 53 mijë tifozë.

Me thirrjen në front të të gjithë meshkujve të aftë për luftë, femrat nisën të zinin vendet e lëna bosh prej tyre, si në aktivitetin ekonomik, në industri, fabrika e të tjera, po ashtu edhe në fushën e argëtimit.

Një shembull tipik është krijimi i skuadrës “The Dick” në Preston të Britanisë së Madhe. Kur lufta sa vinte e bëhej edhe më e ashpër, fabrikat e prodhimit të municioneve dhe armatimeve, që mbi 90 përqind të punonjësve i kishin femra nisën të organizonin ndeshje futbolli mes njëra-tjetrës për të mbledhur para për frontin e luftës.

E në ato kohë të vështira ndeshjet si një mundësi argëtimi dhe mbledhje të ardhurash nisën të bëheshin gjithnjë e më të shpeshta, por edhe më profesionale. Në pah nisin të dalin talente të këtij sporti për femra si Lily Parr, Gemma Fay e të tjera që i dhanë dorën e fundit shndërrimit të futbollit femëror në një sport të mirëfilltë.

“The Dick” sot vlerësohet si skuadra më e suksesshme në historinë e futbollit femëror dhe Lily Parr golashënuesja më e mirë e historisë me mbi 1 mijë gola në karrierën e saj 30-vjeçare, nga të cilët 34 i ka shënuar vetëm në sezonin e parë, kur ishte 14 vjeç.   

Top Channel