Tronditet sërish peshengritja, pas Begajt edhe Godelli me doping

12/12/2014 00:00

Top Channel siguron përgjigjet e analizave të ardhura nga Agjencia Botërore Anti-Doping, WADA, për peshëngritësit Daniel Godelli, Romela Begaj dhe Hysen Pulaku.

Tre peshëngritësit shqiptarë medalistë kanë rezultuar pozitivë në këtë test, ku në trupin e të treve është gjetur e njëjta substance, “Stanozonol”.

Një substancë që përdoret si tek kafshët edhe tek njerëzit, për rritje të masës muskulare. Përmirësimet e Godellit nga Europiani i fundit ishin mahnitse për këdo, një sportist që rekuperon rreth 20 kg brenda 6 muajsh në të njëjtën kategori gare është vërtetë e rrallë, por tashmë po na konfirmohet se me punë sportive vetëm, është edhe e pamundur.

Prej mëse 6 muajsh thuajse e gjithë skuadra përfaqësuese, përjashto Erkand Qerimajn, janë stërvitur në Greqi, për të patur kushte dhe metoda më të mira, por është ky njoftim i Federatës Botërore që rrëzon çdo përpjekje, të paktën në bazë të analizës A.

Edhe pse rregullorja e Federatës së Peshëngritjes parashikon se gjithçka vendoset pas rezultatit të analizës B, Federata Shqiptare e Peshngritjes është në heshtje për shtyp prej ditësh, që nga lajmi i Romela Begajt dhe deri tek ky i Daniel Godellit e Hysen Pulakut, veprim që implikon sigurisht të gjithë institucionin pasi subastanca e gjetur tek të tre sportistët është e njëjta.

“Unë sapo kam komunikuar me Federatën Botërore të Peshëngritjes ata menjëherë na informuan dhe na kanë nxjerrë nëfaqen zyrtar. Pra, rasti Godeli është bërë të enjten prezent zyrtarisht. Përfundimi zyrtar do të jetë pas analizës B. Këtu nuk bëhet fjalë për emra, këtu bëhet fjalë për mënyrën se si funksionon kontrolli antidoping në Shqipëri, duke qenë se po bëhet një problem serioz në mënyrë të veçantë për disiplinimin e peshëngritjes. Nëse kapen të paktën 3 sportistë brenda një viti, përjashtohet tërësisht disiplina. Hapi e parë do të jetë dorëzimi i medaljeve dhe më pas vjen ndalimi i pjesëmarrjes në garat europiane dhe botërore”, ka deklaruar Stavri Bello, sekretar i përgjithshëm i KOKSH.

Gjithësesi, deri në pritje të analizave B, të gjithë mbeten në pritje të shpjegimeve për këtë ngjarje, e cila është sërish historike për peshëngritjen tonë, ashtu si rezultatet, por për fat të keq për dëmtimin e imazhit të sportit tonë të elitës, si kurrë ndonjëherë.

Top Channel