Roma, Garcia: Fati ishte në anën e City-t

11/12/2014 00:00

Eliminimi nga Champions League duket se nuk e pengon aspak trajnerin e Romës që të shikojë nga e ardhmja. Gjithashtu, Rudi Garcia tha se verdhekuqtë nuk i eliminoi barazimi në minutat e fundit në Moskë, por fati.

“Nuk do të ndryshonte gjë po të kishim fituar ndaj CSKA-së pasi të luash për barazim 0-0 ndaj City-t është vetëvrasje. Na mungoi efikasiteti dhe fati që kishte vendosur të ishte në anën e kundërshtarëve. Tani kemi objektiv kampionatin”, tha trajneri i Romës pas humbjes 0-2 ndaj Manchester City.

“Ishte një finale ku na duhej pak fat: topi i tyre hyri, ndërsa i joni përfundoi jashtë. Duhet të mësojmë dhe të përmirësohemi në disa aspekte nëse duam të afrohemi me të mëdhenjtë e Europës. Tashmë kam detyrën të largoj nga koka e lojtarëve të mi këtë disfatë pasi duhet të përqendrohemi në kampionat”, shtoi Garcia.

Top Channel