Ancelotti thjesht shijon 19 fitoret radhazi: Të kapim rekordin botëror

10/12/2014 00:00

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka lavdëruar ekipin e tij “të jashtëzakonshëm”, pasi “Los Blancos”-it vendosë një rekord të ri në Spanjë prej 19 fitoresh radhazi, teksa mposhtën 4-0 bullgarët e Ludogorets Razgradit, për Champions League.

Kampionët në fuqi të Europës triumfuan në “Bernabeu”, duke e mbyllur fazën me grupe të Championsit të këtij sezoni me një rekord 100%, apo 6 fitore në 6 sfida të luajtura. Vetëm 5 ekipe e kishin siguruar diçka të tillë më parë në këtë kompeticion prestigjioz europian.

“Nuk është e lehtë të përgatisësh lojtarët për çdo ndeshje, me të njëjtin nivel motivimi dhe lakmie që po tregojnë këta lojtarë”, u shpreh tekniku italian Ancelotti, për faqen zyrtare të klubit madrilen. “Pasi humbëm ndaj Atleticos (më 13 shtator), nuk mund ta imagjinoja kurrë se do të arrinim 19 fitore radhazi. Isha i sigurt që gjërat, që nuk po shkonin mirë deri atëherë, do të ndreqeshin, por jo me një ecuri të tillë”.

“Ky rezultat që kemi arritur vjen si pasojë e seriozitetit të jashtëzakonshëm dhe profesionalizmit të pabesueshëm mes lojtarëve. E di që kam një grup lojtarësh të pazakontë ndoshta për një ekip tjetër, por unë kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë ata. Kujdesem shumë për ta dhe i falënderoj për punën që po bëjnë, aq sa mundem”.

Fitorja e së martës i lejoi Realit të kalojë rekordin e vendosur nga Barcelona e drejtuar prej Frank Rijkaard, një ekip që arriti deri në 18 fitore radhazi në sezonin 2005/2006. Skuadra e Ancelottit është tashmë 5 fitore larg rekordit botëror prej 24 triumfesh me radhë, të vendosur nga ekipi brazilian Coritiba në vitin 2011.

“Jemi duke shijuar këtë moment të madh. Lojtarët, stafi teknik dhe klubi, të gjithë bashkë. Drejtuesit na kanë mbështetur jashtë mase – tha më tej Ancelotti. – Duhet ta vazhdojmë këtë ecuri, jemi vetëm 2 pikë larg Barcelonës në La Liga, ndërsa do të luajmë në transfertë me Almerian këtë të premte”, përfundoi Carleto, apo “Don Carlo”.

Top Channel