Partizani fiton ‘derbin e kampionateve’, mposht Tiranën 2-0

08/12/2014 00:00

Partizani është fituesi i ‘derbit të kampionateve’ duke mposhtur në
stadumin e mbushur si asnjëherë pas viteve ’90 skuadrën e Tiranës.

Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro shënoi dy gola të shpejtë në pjesën e parë. Nexhipi në minutan e dytë të takimit hedh në zonë një goditje dënimi pa shumë pretendime, por topi përfundon në rrjetë.

10 minuta më vonë Partizani fiton një penallti të dyshimtë që shndërrohet në gol nga Mazrekaj.

Dy golat e shpejtë çoroditën skuadrën e Gugash Maganit, e cila ishte e paqartë në lojën e saj, ndërsa Partizani u shfaq edhe dy herë të tjera përpara portës kundërshtare, por pa mundur të shënojë.

Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë. Në të dytën përpjekjet e Tiranës shtohen, por sërish skuadra mbetet e paqartë në aksionet e saj në sulm, ndërsa Partizani mbrohet mirë, madje në minutën e 76 të takimit një episod brenda zonës mund edhe të jepej 11-metërsh nga gjyqtari.

Pas kësaj fitoreje, Partizani merr i vetëm kryesimin e kampionatit duke u
ngjitur në kuotën e 33 pikëve, 3 më shumë se sa Skënderbeu u vendit të
dytë, ndërsa Tirana mbetet në kuotën e 29 pikëve dhe mban vendin e
tretë. 

Më shumë se sa fitorja e Partizanit, në këtë takim fitoi futbolli shqiptar. Shkallët e “Qemal Stafës” u mbushën si asnjëherë tjetër në një ndeshje kampionati pas viteve ’90 dhe beteja e rivaliteti sportiv për tifozeritë përkatëse nuk zgjati 90 minuta, as nuk përfundoi me këto 90 minuta, por do të zgjasë përjetë.

Top Channel