Milani i pafuqishëm ndaj Xhenovas së vendit të tretë

07/12/2014 00:00

Xhenova zgjodhi momentin më të mirë të saj për të mundur Milanin për herë të parë pas 8 përballjeve direkte mes tyre.

Lojtarët e Gasperinit fituan 1-0 në “Marassi”, duke forcuar pozitat e tyre në vendin e 3 në klasifikim.

Goli i ish milanistit, Antonelli u mjaftoi vendasve të triumfonin ndaj skuadrës së Inzaghit, e cila regjistroi humbjen e parë jashtë fushës së vet dhe del përkohësisht jashtë zonës që të çon në kupat e Europës.

Të dielën u luajtën edhe ndeshjet e tjera të javës së 14 të Serie A, ku Lacio me Lorik Canën në fushën e lojës arriti një fitore të rëndësishme ndaj Parmas së vendit të fundit me rezultatin 1-2, ndërsa Atalanta mposhti 3-2 Cezenën.

Në mesditë u luajt edhe ndeshje mes Napolit dhe Empolit, ku miqtë bënë surprizën duke barazuar 2-2. Në këtë takim Elseid Hysaj u aktivizua gjatë gjithë 90 minutëshit, duke bërë një paraqitje shumë të mirë.

Top Channel