Ljajiç shpëton Romën, barazim i vuajtur ndaj Sassuolos

07/12/2014 00:00

Roma-Sassuolo përfundoi me rezultatin 2-2. Në pamje të parë duket një rezultat negativ për skuadrën që renditet në vendin e dytë të Serisë A, por duke parë si shkoi ndeshja, djemtë e Rudi Garcias duhet të ndihen të lumtur që kanë marrë 1 pikë nga një përballje e lehtë në letër për ta.

Zaza shënoi një dygolësh në pjesën e parë (15’ dhe 18’) pas gabimit të portierit De Sanctis dhe një tjetër gabimi në rreshtim të mbrojtësve të Romës, por Ljajiç në minutën e 78’ dhe 92’ (me 11-metërsh) barazoi gjithçka.

Duhet theksuar se Roma e arriti këtë barazim duke luajtur me 10 lojtarë që nga minuta e pestë e pjesës së dytë, kur De Rossi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Në ndeshjen tjetër të Serisë A që u luajt të shtunën në mbrëmje, Torino dhe Palermo ndanë nga 1 pikë pas barazimit po me rezultatin 2-2.

Top Channel