Reali barazon rekordin e Barcelonës, tregolësh për Cristiano Ronaldon

07/12/2014 00:00

Cristiano Ronaldo bëri gjithçka në fitoren 3-0 të Real Madrid ndaj Celta Vigo në stadiumin Santiago Bernabeu të shtunën në mbrëmje.

Sulmuesi portugez fitoi një 11-metërsh duke simuluar e duke e shndërruar në gol. Më pas shënoi dy gola të tjerë për të vulosur fitoren e 18 radhazi të madrilenëve, të cilët barazojnë rekordin e Barcelonës dhe vazhdojnë të kryesojnë renditjen e kampionatit spanjoll.

Edhe pse Reali nuk ishte në formën e tij të zakonshme, Celta nuk arriti për asnjë moment të rrezikonte portën e mbrojtur nga Iker Casillas. Në fakt, miqtë nuk goditën asnjëherë në portë gjatë 90 minutave. Pritej më shumë nga një skuadër që ka mundur Barcelonën në “Camp Nou” vetëm një muaj më parë (0-1).

Përsa i përket Cristianos, ky është tregolëshi i tij i 23-të në kampionatin spanjoll, duke u bërë kështu lojtari i parë në histori që arrin këtë shifër, duke kaluar Di Stefanon dhe Zarra-n. Gjithashtu, kjo  është ndeshja e 17 radhazi që portugezi arrin të shënojë në “Santiago Bernabeu”. Sulmuesi ka që nga 19 tetori 2013 që shkund rrjetën në ndeshjet brenda të Realit.

Top Channel