Berlusconi komplimenton lojtarët: Pashë sërish Milanin tim

05/12/2014 00:00

Padroni i kuqezinjve të Milanit, Silvio Berlusconi, u ka bërë komplimente skuadrës dhe trajnerit Pippo Inzaghi, pas ndeshjes së fituar kundër Udineses. Një kthesë që e ka bërë të lumtur presidentin e “djallit”.

Milani që u pa në “San Siro” kundër Udineses i pëlqeu jo vetëm Berlusconit, por edhe të gjithë tifozëve që e kishin pritur prej kohësh një fitore, duke parë rezultatet e fundit. Megjithatë, në vizitën e zakonshme të së premtes, numri 1 i kuqezinjve nuk ka reshtur së bëri komplimente.

“Keni bërë një kthesë të bukur. Ndryshuat shumë. Të dielën e kaluar unë, por edhe tifozët kuqezinj, kanë riparë Milanin tonë që sulmon, që imponon lojën, që shënon, por edhe që tregon një forcë të madhe, dëshirë të madhe dhe gjallëri”.

Një ndryshim pozitiv për skuadrën e Inzaghit, gjë që nuk kalon pa u vërejtur nga Berlusconi, i cili uron që ky trend të vazhdojë ende. Presidenti i takoi lojtarët në Milanello përpara drekës.

“Le të vazhdojmë në këtë rrugë, do të ketë lavdi për të gjithë – ka vazhduar ai. – Jeni të gjithë lojtarë që konsideroheni të niveleve të larta, jemi të lumtur për të gjithë ju, për të gjithë ekipin që kemi”.

Gjatë ditës, e bija e tij Barbara, së bashku me administratorin e deleguar të kuqezinjve, Galliani, kanë përshëndetur kompanitë sponsorizuese, që ishin prezente në Milanello për relacionin e drejtorit komercial Jaap Kalma, sa i përket shifrave të tregtimit të markës “AC Milan”.

“E kemi pritur me padurim, sidomos babai im, të përjetonim këtë ditë me ju”, është shprehur Barbara Berlusconi përpara kompanive që mbështesin “djallin kuqezi”.

Top Channel