Tronditet peshëngritja shqiptare. Romela Begaj rezulton pozitive në doping

05/12/2014 00:00

Tronditet peshëngritja shqiptare. Romela Begaj ka rezultuar pozitive në kontrollin antidoping të bërë menjëherë sapo ka përfunduar Botërori i Kazakistanit, ku ajo u shpall kampione e botës në stilin e shkeputjes pasi ngriti 113 kg.

Kanë kaluar vetëm disa javë dhe lajmi është bërë zyrtar nga Agjencia Botërore e Antidopingut, VADA, sipas së cilës Romela ka rezultuar pozitive ndaj testit.

Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka konfirmuar për Top Channel se përpara Botërorit janë kryer disa herë kontrolle dhe Begaj ka rezultuar negative.

Gjithësesi përpara çdo aktiviteti të rëndësishëm sportistët firmosin një kontratë sipas së cilës mbajnë përgjegjësi të plotë për çdo rezultat të mëtejshëm të analizave.

Po sipas Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Romela Begaj është shprehur e gatshme të realizojë testin B, duke qenë shumë e sigurtë në vetëvete se nuk ka përdorur asgjë.

Në përfundim të testit B, nëse edhe ai do të dalë pozitiv, Begaj rrezikon përjashtimin përgjithmonë së bashku me trajnerin e saj nga peshëngritja – konfirmojnë burizmet zyrtare për Top Channel.

Vetë Federata Shqiptare e Peshëngritjes qëndrimin e saj publik lidhur me këtë rast do ta mbajë pas testit B.

Top Channel