F1, Çmimi i Madh i Koresë në dyshim, organizatorët: S’kemi fonde

04/12/2014 00:00

Kalendari i Botërorit 2015 në Formula 1 sapo ka marrë miratimin nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) dhe është zyrtarizuar, por nga Korea e Jugut vijnë zëra gjithnjë e më këmbëngulës për zhvillimin e rregullt të Çmimit të Madh të Koresë, në pistën e Yeongam.

“Nuk jemi paralajmëruar. FIA ka bërë zyrtarizimin pavarësisht se kishim deklaruar vështirësitë tona për të organizuar një garë të tillë vitin e ardhshëm”, ka shpjeguar një anëtar korean i Komitetit Organizativ, i cili nuk ka preferuar të identifikohet.

Në fakt, për ta detajuar më tej, burimi në fjalë ka deklaruar se organizatorët nuk i kanë paratë e nevojshme për ta ngritur në kohë pistën në fjalë, pasi nuk pret ndihma publike.

Në kalendarin e vitit 2015 të Formula 1, Çmimi i Madh i Koresë është programuar për më 3 maj, në pistën e Yeongam, por në listën e miratuar nga FIA në Doha, kjo garë është shoqëruar me specifikimin “për t’u konfirmuar”. Një detaj që me kalimin e orëve mund të hedhë dritë mbi vështirësitë e saj dhe nëse do të mund të zhvillohet kjo garë.

Pas debutimit në vitin 2010, organizatorët e këtij Çmimi të Madh kanë akumuluar 140 milionë euro borxhe dhe janë detyruar të tërhiqen nga sezoni 2014 në pritje të gjetjes së financuesve të rinj. Për momentin duket se asgjë nuk ka ndryshuar, ndaj dhe nuk kuptohet se përse kjo garë është futur në kalendar.

Top Channel