Moratti: Thohir të shpenzojë më shumë

03/12/2014 00:00

Massimo Morati mund të flasë me qetësi për Interin tani që nuk është më pjesë e Këshillit Administrativ të klubit zikaltër. Në një intervistë për ‘Corriere della Sera’, ish-presidenti pranoi se është larguar nga drejtimi i klubit në momentin më të volitshëm.

“Interi është një ndjenjë që transmetohet nga tifozët te drejtuesit e klubit, lojtarët për t’u kthyer në një pasion që ngjall shumë kujtime. Nuk e kisha menduar kurrë të qënit një president i përjetshëm. Kur e kuptova se ishte e nevojshme për të bërë ndryshime me synim përmirësimin e klubit, vendosa të shes pjesën më të madhe të aksioneve. Thohir është i ri dhe ka shumë dëshirë për të bërë një punë të mirë. Familja e tij ka të ardhura konsiderueshme financiare, kërkon të komandojë dhe kjo është diçka e drejtë”, u shpreh Moratti.

Më pas, Morati bëri një sugjerim konkret për Thohir duke i kërkuar të shpenzojë më shumë në merkato.

“Futbolli nuk është një kompani biznesi, sidomos në rastin e Interit. Është e drejtë dëshira për të respektuar parametrat, por nuk ka shumë kohë për të menduar për bilancet. Cdo javë, çdo tre ditë ka një verifikim dhe rezultati i një ndeshjeje po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi. Nuk ekzistojnë programimet afatmesme apo afatgjata. Për më tepër, janë edhe tifozët me ëndrrat, shpresat dhe pritshmëritë e tyre. Gjithnjë kam menduar se ishin ata padronët e vërtetë të Interit. Një herë, një tifoz i Interit më ndaloi dhe më tha se duhej të shpenzoja më shumë në merkato dhe kishte të drejtë”, tregon ish-presidenti.

Top Channel