FIA: Bianchi nuk ngadalësoi sa duhej përpara aksidentit

03/12/2014 00:00

Jules Biachi “nuk ngadalësoi aq sa duhej për të shmangur humbjen e kontrollit” të makinës së tij gjatë përplasjes në Çmimin e Madh të Japonisë. Ky është konkluzioni i një raporti të publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) këtë të mërkurë.

Piloti i Marussias, i cili ka pësuar dëmtime kërcënuese për jetën në kokë, shkoi drejt një vinçi që po ngrinte një makinë tjetër të aksidentuar, duke përfunduar poshtë tij, në garën e zhvilluar në Suzuka në tetor, e menjëherë më pas u transportua për në spital.

25-vjeçari mbetet ende në gjendje pa vetëdije në një spital në Nicë të Francës, por ka nisur të marrë frymë pa ndihmën e aparateve ndihmëse, teksa ka dalë nga koma e induktuar. Piloti francez ka pësuar një dëmtim të rëndë në kokë, pasi u përplas me Sauberin e Adrian Sutil, i cili po largohej nga pista me vinç.

Sipas raportit prej 396 faqesh, të hartuar nga një panel prej 10 personash në FIA, “Bianchi nuk ngadalësoi sa duhej për të shmangur humbjen e kontrollit të makinës, në të njëjtën pjesë të pistës ku u përplas edhe Sutil”. Raporti thekson gjithashtu se brenda “dy sekondash, kur makina e Bianchi doli nga pista dhe kaloi përmes një zone me zhavor, ai shtypi njëkohësisht frenat dhe gazin, duke përdorur të dyja këmbët. Algoritmi ‘FailSafe’ është dizenjuar për të refuzuar gazin dhe për të bllokuar motorin, por është penguar nga ‘Koordinatori i fuqisë rrotulluese’, i cili kontrollon sistemin e frenave të pasme (BBW)”, thuhej në raport.

“Marussia e Bianchit kishte një dizenjo unike të këtij sistemi BBW, i cili rezultonte të ishte i papajtueshëm me konfigurimin e ‘FailSafe’”, vijonte më tej raporti.

Sipas këtij raporti, makina e Bianchi, e cila peshonte 700 kg, goditi vinçin me peshë 6500 kg me një shpejtësi prej 126 km/h.

“Kaska mbrojtëse e Bianchi goditi pjesën e pjerrët të poshtme të vinçit”, lexohej në raport. “Madhësia e goditjes dhe natyra e përplasjes shkaktuan zmbrapsje masive të kokës dhe përshpejtim të pjesëve anësore, duke e çuar drejt dëmtimeve të rënda të pësuara. Të gjitha procedurat mjekësore për shpëtimin e tij u ndoqën siç duhej dhe dobia e tyre konsiderohet të ketë kontribuuar mjaftueshëm në shpëtimin e jetës së Bianchi”.

Top Channel