Partizani-Tirana me tifozë, Duka: Dënimi, ndoshta pas kësaj ndeshjeje

03/12/2014 00:00

Në këtë fazë apelimesh, veç FSHF-së tashmë të zhgënjyer për vendimin e UEFA-s, e zhgënjyer është edhe skuadra e Tiranës, e cila këto ditë është në pritje të vendimi të Apelit të Federatës, vendim që lidhet me prezencën e tyre, ose jo, në 14 ndeshjet e ardhshme.

Por më tepër për ndeshjen e radhës, që është derbi më i madh i historisë së futbollit shqiptar, Partizani-Tirana.

Dhe, nëse pala shqiptare kishte pak shpresë në Apelin e UEFA-s, me sa duket edhe Tirana duhet të jetë në të njëjtat pozita, edhe pse vetë presidenti Duka ka shprehur vullnetin e tij për të qenë të dyja tifozeritë në “Qemal Stafa”.

“Që një vendim i Komisionit të Disiplinës me 6 ndeshje ndëshkim të bëhet zero nga Apeli mua më duket absurd, sepse nuk është edhe e lehtë. Ne kemi parë që aty ka pasur diçka. Unë personalisht do të kisha dashur që atë ndeshje ta shikoja me të dyja tifozeritë, sepse është një nga ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit. Vjen rrallë dhe jo shpesh. Por, nuk e di nëse rregullorja mund të lejojë një mundësi të tillë. Vullneti im do të ishte 100% për këtë përjashtim”, tha Armand Duka.

Ndërkohë për këtë derbi të famshëm të futbollit shqiptar do të jenë të pranishëm edhe gazetarët e një prej platformave më të mëdha sportive në botë si “SKY”, i cili do të bëjë një reportazh për këtë ndeshje.

Një interesim më i madh se kaq i mediave botërore për futbollin shqiptar nuk ka ndodhur ndonjëherë, dhe kjo, sigurisht që lidhet me paraqitjen e përfaqësueses sonë. Kjo është një tjetër shtysë, që në ndeshjen Partizani-Tirana të mos mungojë asnjë nga elementët e spektaklit, që – veç skuadrave – e kanë bërë kaq të famshëm këtë përballje.

“Nuk është se kemi shpesh mundësi ta nxjerrim kampionatin në vitrinën europiane. Pikërisht edhe për këtë, unë personalisht do të kisha vullnet 100% që kjo ndeshje të luhej me spektatorë, edhe sikur dënimet e tifozëve të Tiranës të fillojnë nga ndeshja tjetër e radhës. Ndoshta vendimi nuk hyn në fuqi, deri në momentin kur të mblidhet Apeli”, u shpreh presidenti Armand Duka.

Pra një zgjidhje mund të jetë një derbi me tifozët e të dyja skuadrave, për të mos prishur një traditë dhe për të mos pasur një derbi të heshtur si ai i fazës së parë. Ndërkohë, për diskutimin e madh të hapur të kolektivizimit të vendimeve, presidenti Duka merr shembull UEFA-n.

“Mos dëgjuat gjë që në Serbi kishin dënuar vetëm Bogdanovin? Apo të gjithë serbët?”, reagoi Duka.

Top Channel