NBA, fiton Dallas, humbet Oklahoma

03/12/2014 00:00

Dallas Mavericks dhe Chicago Bulls dhuruan spektakël në sfidën e zhvilluar mes tyre në Ilinois, ku në fund triumfuese doli skuadra teksane me rezultatin 132-129.

Të dyja skuadrat zhvilluan një lojë shumë të rivalizuar dhe kjo vërtetohet nga fakti që kjo sfidë u mbyll pas 2 kohëve shtesë. Për Dallas, basketbollisti vendimtar ishte Monta Elis, i cili fillimisht e çoi ndeshjen në kohën e parë shtesë pasi u tregua i saktë nga vija e gjuajtjeve të lira. Në shtesën e dytë, Elis së bashku me Parson bënë që skuadra e Dallasit të merrte kryesimin e më pas të fitonte ndeshjen.

Oklahoma City humbi ndaj New Orleans Pelicans me rezultatin 104-112, pavarësisht pranisë së Kevin Durant në parket, për të cilin kjo ishte ndeshja e tij e parë për këtë sezon. Ky i fundit luajti si zakonisht dhe e mbylli takimin me 27 pikë të shënuara, por që nuk i shërbyen shumë Oklahomës që e pati të vështirë të përballonte New Orleans, skuadër ku spikati Evans me 25 pikë dhe 10 topa në tabelë.

Golden State Warriors nuk e ndal hapin dhe regjistron fitoren e 10 radhazi. Këtë radhë Warriors mundën Orlando Magic 98-97, ku protagonist u bë Stephen Curry, i cili në sekondat e fundit shënoi nga distanca e tre pikëve duke i dhënë fitoren skuadrës së tij.

Detroit Pistons thyhet sërish dhe këtë radhë në parketin e tij ndaj Los Angeles Lakers 96-106 duke shënuar 9 humbje radhazi. Skuadra kaliforniane u udhëhoq nga Jordan Hill me 22 pikë dhe 13 topa në tabelë, ndërkohë që Kobe Bryant e mbylli takimin me 12 pikë dhe 13 asist, por humbi edhe 10 sulme.

Disfatë pësoi edhe Denver Nuggets ndaj Portland Trail Blazers 103-105, ndërkohë që Cleveland Cavaliers shënoi fitoren e katërt radhazi në sfidën me Milwakee 111-108.

Në ndeshjet e tjera: Atlanta Hawks-Boston Celtics 109-105, Brooklyn Nets-New York Knicks 98-93, Phoenix Suns-Indiana Pacers 116-99 dhe Toronto Raptors-Sacramento Kings 117-109.

Top Channel