Arrestet kardiake në fushë, ja aplikacioni “shpëtimtar”

02/12/2014 00:00

Në vazhdën e një fushate të re, në ndihmë të identifikimit dhe trajtimit të arresteve të papritura kardiake në fushat e futbollit, është krijuar një aplikacion i ri, si hapi i parë drejt shpëtimit të jetëve në raste emergjente.

Fushata “Luaj i sigurt” është një nismë e promovuar nga Fondacioni “MAPFRE” dhe Qendra Mjekësore e Ekselencës së FIFA-s, por edhe klinika e sporteve “Ripoll & De Prado” në Spanjë.

Fushata do të nisë në Madrid më 3 dhjetor, me lançimin e aplikacionit për telefonat inteligjentë “CPR11”. Videoja që promovon fushatën përfshin disa figura të shquara nga futbolli, të cilët janë tronditur nga ngjarjet e arresteve kardiake gjatë karrierës së tyre, me lojtarë si Sergio Ramos, trajnerë si Jose Antonio Camacho, por edhe gjyqtarë.

Aplikacioni “CPR11” do t’u ofrojë përdoruesve instruksione të qarta se si të kryejnë një reanimim kardiopulmonar. Në 11 hapa të thjeshtë, aplikacioni ofron një plan me instruksione të qarta dhe tepër të sakta, se si të japësh shtypjen e gjoksit në mënyrë korrekte, si mund të përdorësh një defibrilator automatik të jashtëm, dhe nëse do jetë e nevojshme edhe se si të transportohet lojtari.

Me ndihmën e mesazheve të shkruara dhe me zë, 11 videot e shkurtra do të ndihmojnë gjithsecilin të njohin një arrest të papritur kardiak dhe të arrijnë në kohë objektivat për manovrimin e reanimimit kardiopulmonar në 2 minutat e para, dhe përdorimin e defibrilatorit në 3 minutat e para pas rënies së lojtarit.

Top Channel