Botërori “Rusi 2018”, Platini vihet nën akuzë

01/12/2014 00:00

Punime të shtrenjta arti janë ofruar si nxitje dhe kanë përfunduar në qendër të serisë së fundit të akuzave shkatërruese në lidhje me procesin e kandidimit për organizimin e Botërorëve 2018 dhe 2022, sipas një raporti të publikuar së fundi.

Një pikturë, që besohet të jetë e Picassos, akuzohet se i është bërë dhuratë presidentit të Unionit të Federatave Europiane të Futbollit (UEFA), njëkohësisht edhe anëtar ekzekutiv i FIFA-s, Michel Platini, në këmbim të mbështetjes së tij për kandidaturën – tashmë të suksesshme – të Rusisë për të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2018.

Një tjetër anëtar me të drejtë vote në FIFA, Michel D’Hooghe nga Belgjika, ka qenë gjithashtu përfitues i një pikture shumë të çmuar, e dhënë për të me një pako të mbështjellë me një letër kafe nga Viacheslav Koloskov, një ish-anëtar rus i Komitetit Ekzekutiv, i cili punonte në atë kohë në favor të përpjekjeve të kombit të tij për të mirëpritur turneun e 2018-s.

Raporti që pretendon këto zbulime dhe akuza është publikuar në “The Sunday Times”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Platinisë, i cili është shprehur se “akuzat e publikuar në ‘Sunday Times’ në lidhje me veprimet e mia në proceset e kandidimit për Botërorët 2018 dhe 2022 janë totalisht të trilluara. Çështja i ka kaluar tashmë këshilltarëve të mi ligjorë”, tha ish-ylli i kombëtares franceze.

D’Hooghe tha për “Sunday Times” se ai kishte besuar që piktura që i ishte dhënë ishte “tmerrësisht e shëmtuar” dhe se nuk besonte të kishte ndonjë vlerë për të. Ai tha gjithashtu se nuk kishte votuar në favor të kandidaturës së Rusisë.

Zbulimet e fundit të tabloidit britanik janë të bazuara në prova që i ka dorëzuar edhe në një komitet të Parlamentit britanik, i cili po heton nga ana e tij rrethanat në lidhje me dhënien e të drejtës së organizimit të Botërorëve ndaj vendeve respektive, veçanërisht për të hedhur dritë mbi kandidimin e dështuar të Anglisë për kompeticionin e vitit 2018.

Top Channel