Partizani i vetëm në krye

30/11/2014 00:00

Partizani merr i vetëm kryesimin e Superligës në javën e 14-të pas fitores 0-1 në Durrës ndaj Teutës.

Edhe pse me mungesa të rëndësishme, por me rikthimin në port të Alban Hoxhës, 15 herë kampionët e Shqipërisë kanë arritur të marrin një 3 pikësh shumë të rëndësishëm pas golit të Osmanajt në minutën e 67-të të ndeshjes.

Me gjithë përpjekjet e skuadrës durrsake, e cila u paraqit për herë të parë në këtë sezon me trajnerin e ri Gentjan Begeja, asgjë nuk ndryshoi.

Ndërkohë në “Qemal Stafa” Tirana është ndalur në barazim 0-0 nga Laçi, në një ndeshje me disa raste për bardheblutë, por që nuk mundën të ndryshonin diçka në rezultat, duke humbur kështu kryesimin e klasifikimit me një pikë disavantazh nga Partizani.

Me një pikë pas tyre ndodhet edhe Kukësi, i cili ka arritur të fitojë 1-0 përball Skënderbeut në fushën e tyre.

Ka qenë një ndeshje e ashpër nga të dyja skuadrat që kërkonin me doemos fitoren, por ajo u arrit nga veriorët, të cilët shënuan golin e vetëm të takimit në minutën e 47-të të ndeshjes me autor Erjon Dushkun, pas një goditje këndi. Pas kësaj fitoreje, Kukësi është në vendin e tretë me një pikë më tepër se korçarët e vendit të katërt.

Top Channel