“Njollat e zeza” që vazhdojnë të vrasin

30/11/2014 00:00

Tabelat që paralajmërojnë kthesën në dalje të autostradës Tiranë-Elbasan në fshatin Mullet janë vendosur keq, duke sinjalizuar drejtuesit e mjeteve vetëm pasi janë futur në kthesë.

Një gabim në vendosje ka shkaktuar dhjetra aksidente në këtë pikë, dhe i fundit ishte në mbrëmjen e së shtunës. Zona është kthyer në një njollë të zezë, sipas përcaktimeve policore, por mbi të nuk është vënë dorë, duke e lënë për muaj me radhë në të njëjtën situatë.

Ndërsa sinjalistika ka problemet e veta, vetëm zhvendosja e tabelave për disa metra më tutje dhe sinjalizimi në kohë i drejtuesve të mjeteve për fundin e autostradës dhe praninë e një kthese të fortë do t’i jepte mundësinë shoferëve të hynin në kthesë me një shpejtësi më të ulët.

Edhe tabela që lajmëron se në fund të këtij segmenti lejohet të ecësh vetëm me 40 kilometra në orë është brenda trajektores së kthesës duke e bërë të pamundur manovrimin në kohë.

Në fakt segmenti rrugor ishte parashikuar të mos e kishte në projekt këtë kthesë, përveçse si një rrugë dalëse nga autostrada. Por derisa autostrada të përfundojë, të gjithëve u duhet të ecin me instikt se kur vjen kthesa në fund të autostradës.

Top Channel