Ancelotti: Rekordi, një ëndërr! Tashmë synon Rijkaardin

30/11/2014 00:00

Pas suksesit ndaj Malagës, rekordi i ri që mban emrin e udhëheqësit Ancelotti – mes La Ligës, Champions League dhe Kupës së Mbretit – është pikërisht 16 fitore radhazi për Real Madrid.

Tekniku italian i njohur për karrierën e tij tepër të suksesshme me Milanin kryesisht, por edhe me PSG-në, ka arritur të kalojë edhe serinë e fitoreve të Miguel Munoz në sezonin 1960-’61, e për më tepër atë të Jose Mourinhos në sezonin 2011-12.

Një arritje stratosferike e cilësojnë mediat këtë sukses të Carletos, i cili pasi solli “La Decima”-n për madrilenët, bën edhe një tjetër hap për të mos u harruar nga historia e “Los Blancos”-ve.

“Jam i lumtur për rekordin, më duket një ëndërr, por shpresoj të vazhdojmë kështu”, është shprehur Ancelotti pas fitores së vuajtur ndaj Malagës. “Kam fatin të jem në krye të një skuadre fantastike, me lojtarë të shkëlqyeshëm dhe në një klub fantastik – ka shtuar italiani. – Por kjo është vetëm një pjesë e sezonit dhe ende nuk kemi fituar asgjë sivjet”.

Carlo Ancelotti tashmë synon edhe rekordin e Frank Rijkaard, i cili kur ishte në krye të Barcelonës arriti deri në 18 fitore radhazi.

Megjithatë, pavarësisht këtij suksesi, ai që bën bujë në “parakalimin” e Ancelotti është pikërisht suedezi Sven-Goran Eriksson.

Ish-trajneri i disa prej ekipeve më të njohura europiane, por edhe kombëtareve, tashmë do të drejtojë Shangai SIPG, te të cilët do të përfitojë plot 18,85 milionë euro në sezon, një shifër faraonike, për më tepër sa dyfishi i asaj që përfiton Ancelotti aktualisht te Real Madrid. Kontrata është për dy vjet, me opsion për të rinovuar për të tretin.

Top Channel