F1, Vettel debuton në Fiorano me F2012?

28/11/2014 00:00

E premtja është edhe dita e fundit, ndër 5 të tilla të vendosura nga Red Bull, nëpërmjet të cilave i ndalon Vettelit të nisë testimet me Ferrarin.

Por, nga ana tjetër janë edhe kufizimet e imponuara nga rregullorja, sipas të cilave një piloti që ka ndryshuar skuderi nuk i lejohet të përdorë njëvëndëshen e sezonit të fundit, ndaj dhe Sebastian Vettel pritet që të hipë për herë të parë në një Ferrari, por një makinë e vitit 2012.

Nuk bëhet fjalë për testime të besueshme, pasi makina F2012 kishte të montuar një motor me ajrosje shumë të ndryshme nga njësia aktuale e fuqisë, e cila u prezantua këtë vit.

Megjithatë, për Vettelin do të jetë rasti i parë për të provuar ulësen, pozicionin e drejtimit, si dhe të zhvillojë të parat kontakte me metodat e punës së punonjësve të Ferrarit. Nëse do ia lejojnë kushtet e motit, piloti gjerman do të zbresë në pistë në Fiorano, të shtunën.

Sa i përket aspektit teknik, shihet gjithnjë e më i lëkundur pozicioni i projektuesit grek, Nicholas Tombazis, një kandidat serioz për t’u viktimizuar në këtë periudhë revolucioni te “kokëkuqja”.

Por, Ferrari nga ana tjetër vazhdon të këmbëngulë për Ross Broën, për ta bindur të rikthehet në Maranello. Gjithsesi, inxhinieri anglez nuk ka zgjidhur ende disa rezerva që ka pasur me largimin e tij, ndoshta edhe për shkaqe shëndetësore.

Top Channel