Ferrari, Vettel: Nuk jemi në nivelin e Mercedesit

27/11/2014 00:00

Të shumtë janë tifozët e Ferrarit që e kanë mirëpritur kalimin e katër herë kampionit të botës, Sebastian Vettel, në skuderinë italiane, por ka qenë vetë piloti gjerman, ai që duket se kërkon t’i zbresë me këmbë në tokë.

“Vitin e ardhshëm nuk mund të mendojmë se si të rivalizojmë në kushte të barabarta me Mercedesin – ka thënë Seb për “Die Welt”.  – Jam i ndërgjegjshëm se gjendem përpara një sfide që kërkon më shumë kohë, duke parë avantazhin e jashtëzakonshëm të rivalitetit që kanë “shigjetat e argjendta””, shtoi ish-piloti i Red Bull.

Ai shpjegon më tej se “objektivi kryesor është të tregojmë se qoftë unë, qoftë Ferrari, kemi bërë zgjedhjen e duhur për të ardhmen”.

“Do të duhet pak kohë për t’u rikthyer në krye, – vazhdon gjermani. – Nuk duhet të mendoni se tani, me ardhjen time, duhet të rriten edhe pritshmëritë e tifozëve. Duhet të punojmë shumë”.

Si Vettel, ashtu dhe Ferrari kanë përpara një sfidë të rëndësishme për të përmirësuar çdo parametër të mundshëm, për të mos u shfaqur më si sezonin që sapo përfundoi, i cili ishte ndër më zhgënjyesit për “kokëkuqen”, duke arritur vetëm 2 herë podiumin, por pa fituar asnjë garë.

“E rëndësishme është të ndihmoj Ferrarin në këtë periudhë tranzicioni, për ta bërë atë të kthehet në pozicionin që meriton. Do të jap gjithçka mundem për t’ia dalë mbanë këtij objektivi”.

Ashtu siç e ka thënë edhe herë të tjera, Vettel e sheh ardhjen e tij te Ferrari si realizim të një ëndrre fëmijërie. “Që prej fëmijërisë kisha Schumacherin si idhullin tim dhe e kujtoj shumë mirë kur garonte me një Ferrari”.
 
Debutim dinjitoz për italianin Marciello

Prova e parë në timonin e një “Ferrari F14T”, i cili u shkaktoi aq shumë probleme Alonsos dhe Raikkonenit gjatë këtij sezoni, ka rezultuar tepër e suksesshme për 19-vjeçarin Marciello, italianin e ardhur nga Akademia e Pilotëve të Maranellos, i cili është shkëputur fuqishëm në testimet zyrtare të Formula 1, në Abu Dhabi, duke shënuar kohë tepër interesante, shumë pranë atyre të Mercedesit.

Kuptohet që për “shigjetat e argjendta” kanë qenë pilotët testues Wehrlein dhe Max Verstappen, teksa ky i fundit pritet të debutojë në botërorin e vitit 2015. Pas Ferrarit të Marciellos ka mbetur Red Bulli i Ricciardos.

Top Channel