Renditja e FIFA-s, Shqipëria humbet 2 vende

27/11/2014 00:00

Renditja e FIFA-s për muajin nëntor ka pësuar shumë pak ndryshime sa i përket 10 vendeve të para, me 7 vendet e para të paprekura nga muaji i kaluar, ndërsa kampionët e botës, Gjermania, sërish në krye të ndjekur nga Argjentina dhe Kolumbia.

Shqipëria ka pësuar sërish një rënie me 2 vende, duke zbritur në vendin e 50, me 577 pikë nga 604 që kishim një muaj më pak, kjo edhe për faktin se gjatë këtij muaji kombëtarja kuqezi nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje kualifikuese, por dy miqësore ndaj kundërshtarëve prestigjiozë, si Franca dhe Italia.

Franca, e cila barazoi me kuqezinjtë tanë në miqësoren e parë të kësaj ndërprerjeje kampionatesh për t’ia kushtuar vëmendjen kombëtareve, ka mundur të ngjitet në vendin e 7, me pikë të barabarta me Portugalinë, edhe ky një rival i të njëjtit grup me Shqipërinë, teksa portugezët janë ngjitur me 2 vende.

Ndër 20 ekipet më të mira janë edhe Anglia, në vendin e 13 me një ngjitje +7; Rumania në vendin e 15 me +6 pozicione dhe Republika Çeke në vendin e 17 me +5; të gjitha në progres falë rezultateve pozitive të marra në kualifikueset për Euro 2016.

Top Channel