Brazil, rëndohet gjendja e Pele

27/11/2014 00:00

Rëndohet gjendja shëndetësore e legjendës Pele, i shtruar që prej së hënës në spitalin “Albert Einstein” të San Paolos për një infeksion në aparatin urinor.

Sipas raportimeve të portalit “O Globo”, ditën e enjte 74-vjeçari brazilian, tre herë kampion bote, është transferuar në një repart të specializuar të spitalit për shkak të një “përkeqësimi klinik”.

Pas mëngjesit, kur gjendja e Edson Arantes do Nascimento (emri i vërtetë i lojtarit të jashtëzakonshëm) pati një përmirësim të lehtë, në orët e drekës gjithçka ndryshoi.

Në buletinin mjekësor të drekës doli një “paqëndrueshmëri klinike”, që ka bindur mjekët ta transferojnë “mbretin” në një njësi të specializuar.

Pele u ndje keq për herë të parë rreth 10 ditë më parë, kur u shtrua për një operacion në veshka në vigjiljen e një evenimenti gjatë të cilit do të bënte një prezantim në Muzeun e Santosit, që mban dhe emrin e tij.

Pele këto muaj po punon edhe për evenimentet që kanë të bëjnë me Lojrat e ardhshme Olimpike Rio 2016, si dhe për Kupën e ardhshme të Botës, Rusi 2018.

Jose Fornos Rodrigues, zëdhënës i ikonës së futbollit, është përpjekur të përgënjeshtrojë buletinin mjekësor duke i minimizuar të dhënat.

“Nuk ka pasur asnjë përkeqësim. Ka patur vetëm shumë vizita dhe ai ngrihej, i përqafonte vizitorët dhe ulej sërish. Është mirë të kufizojmë këto lëvizje, por nuk ka ndryshuar asgjë”, deklaroi Rodrigues.

Zëdhënësi saktësoi gjithashtu se Pele nuk ndihej rehat me shumë njerëz përreth dhe se tani do të jetë më i qetë.

Top Channel