Ndëshkimi, Tirana shpreson në uljen e dënimit nga Apeli

27/11/2014 00:00

Një ditë pas marrjes së vendimit të Komisionit të Disiplinës, sipas të cilit Tiranës i shtohen edhe 6 ndeshje pa tifozë në transfertë, që i bashkohen 9 ndeshjeve të mbetura nga dënimi i parë pa tifozë në fushën e vet, te kampi bardheblu vazhdon puna edhe pse të zhgënjyer.

Vetë trajneri i Tiranës, Gugash Magani, ka komentuar këtë vendim të Disiplinës, me shpresën e një reagimi pozitiv nga Apeli.

“Nuk duket normal një dënim kaq i gjatë, në një kohë që neve na takon të luajmë një ndeshje me tifozë në muajin mars. Kjo ndikon shumë, pavarësisht se ne do të bëjmë gjithçka që skuadrën ta mbajmë të karikuar gjatë gjithë kohës, por duhet të kuptoni se motivimi i një skuadre është shumë i vështirë pa tifozë. Po them edhe njëherë se na kanë prerë njërin krah, por sërish do të shkojmë në ‘luftë’ me krahun tjetër dhe do të jemi më të fortë se kurrë”, tha Gugash Magani, trajner i Tiranës.

Menjëherë pas vendimit, përfaqësuesit e klubit kanë përgatitur dokumentacionin për të çuar çështjen në Apel, duke shpresuar që të ulet dënimi, për të mos zhvilluar një tjetër “derbi” me Partizanin pa tifozët e tyre.

Përballja mes Partizanit dhe Tiranës do të luhet më 8 dhjetor në “Qemal Stafa” dhe, me shumë gjasa, të pranishëm do të jenë vetëm tifozët e Partizanit, ndërkohë këtë fundjavë Tirana do të luajë kundër Laçit.

Edhe kapiteni Ervin Bulku deklaroi se vendimi i Komisionit të Disiplinës është i padrejtë: “Dënimi kolektiv është i padrejtë, duhet të ndëshkohen vetëm përgjegjësit”. Në lidhje me ndeshjet pa tifozë që presin tashmë skuadrën që kryeson kampionatin shqiptar, Bulku tha se “do të jetë e vështirë të luash pa mbështetjen e tifozëve”.

Komisioni i Disiplinës së Federatës Shqiptare të Futbollit, i mbledhur ditën e mërkurë, vendosi dënimin me 6 ndeshje pa tifozë për KF Elbasanin (brenda) dhe KF Tiranën (jashtë) pas trazirave që ndodhën në stadiumin “Elbasan Arena” ditën e dielë, gjatë ndeshjes Elbasani-Tirana të përfunduar me rezultatin 2-3.

Gjithashtu, të dyja klubet janë gjobitur me nga 200 mijë lekë të reja për dëmet që tifozeritë përkatëse i kanë shkaktuar stadiumit ku luan kombëtarja. Ndërkohë, lojtari i Elbasanit, Xhulio Jaupi, është pezulluar 2 ndeshje për provokim të tifozerisë bardheblu.

Top Channel