Danimarka kërkon të hyjë në Botërorin e Formulës 1 në vitin 2018. Lajmi publikohet nga e përditshmja daneze ‘Herning Folkeblad’, sipas të cilit autoritetet daneze kanë filluar të krijojnë projektin e ri për të cilin pritet të diskutojnë me bosin e Formulës 1, Bernie Ecclestone.
Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, ky takim me Ecclestone fillimisht ishte parashikuar të zhvillohej javën e ardhshme, por më pas u shty për në muajin janar të vitit 2015.
“Nuk ka rëndësi se kur zhvillohet ky takim, ne po punojmë që të sjellim Formulën 1 në Danimarkë në vitin 2018”, tha ish-ministri danez për Shkencën, Teknologjinë dhe Zhvillimin, Helge Sander.
Në artikullin e saj, ‘Herning Fokleblad’ shkruan se do të jetë pikërisht Helge Sander në krye të këtij projekti dhe po përpiqet që të sigurojë kapitalin e mjaftueshëm nga kompanitë më të mëdha daneze mes të cilave mund të jetë Saxo Bank dhe marka e modës Bestseller.
Top Channel