“Lufta” Spanjë-Chelsea

26/11/2014 00:00

Tashmë Vicente del Bosque dhe Jose Mourinho janë në një betejë të hapur. Këtë radhë “mollë sherri” mes trajnerit të përfaqsueses spanjolle dhe atij të Chelsea u bë Sergio Ramos, i cili u kritikua ashpër nga luzitani për deklaratat e tij në lidhje me formën e disa prej lojtarëve të Bluve të Londrës.

“Nuk kam asgjë për të thënë”, tha Del Bosque për të përditshmen spanjolle ‘Marca’.

“E vlerësoj Mourinho-n për aftësitë e tij si trajner, por unë besoj se çdokush duhet të merret me skuadrën e tij dhe të bëjë punën që i takon”, shtoi trajneri i Spanjës.

Por, Sergio Ramos ka krijuar polemika edhe me Cesc Fabregas. Mesfushori spanjoll i Chelsea mungoi në ndeshjet me Bjellorusinë dhe Gjermaninë për shkak të një dëmtimi muskular, por sipas mbrojtësit 28-vjeçar, Fabregas nuk ishte i pranishëm pasi nuk e ndjen shumë fanelën e përfaqësueses, deklaratë që nuk i pëlqeu aspak futbollistit të Chelsea.

“U ndjeva i fyer dhe këtë ia thashë edhe Sergio Ramosit. Gjërat mes nesh janë sistemuar tani, por nuk më pëlqen kur dikush vë në dyshim ndjenjën time për skuadrën kombëtare. Në 9 vjet kam luajtur 94 ndeshje me skuadrën e Spanjës. I thashë Ramosit që nëse ka diçka për mua, të ma thotë në sy dhe jo duke dërguar mesazhe nëpërmjet medias”, tha Fabregas.

Top Channel