“Topi i Artë nuk i jepet më të mirit”

26/11/2014 00:00

Franck Ribery ka deklaruar se Topi i Artë nuk i jepet më lojtarit më të mirë të vitit, por është një çmim që ka lidhje më shumë me çështjet politike sesa me meritat sportive.

“Vitin e kaluar mësova shumë gjatë mbrëmjes gala të dorëzimit të Topit të Artë. Sapo mbërrita, i thashë bashkëshortes sime që nuk do e fitoja. Pashë si e përqafonte Blatteri Cristiano Ronaldon dhe pashë që familja e tij ishte e gjitha aty. Nuk jam budalla. Ishte e qartë që ai do e fitonte. Nuk do e merrte me vete familjen nëse nuk do e dinte”, tha sulmuesi i Bayern Munchen për ‘Sport Bild’.

Francezi mendon se edhe kësaj radhe do të ndodhë e njëjta gjë: “Këtë vit duhet ta fitojë Neuer ose Robben. Manuel i ka fituar të gjitha, është një njeri i mirë dhe nuk është arrogant. Arjen ka bërë një sezon fantastik në Bundesligë dhe një Botëror madhështor, por kam frikë se do të ndërhyjë sërish politika. Topi i Artë nuk i jepet më lojtarit më të mirë.”

Top Channel