Liga e Kampioneve, Arsenal-Dortmund premton spektakël

26/11/2014 00:00

Grupet A, B, C dhe D luajnë sonte ndeshjet e parafundit të kësaj faze të
Ligës së Kampioneve, ndeshje që për disa prej skuadrave mund të
rezultojnë vendimtare.

Në Madrid, Atletiko kryesuese e grupit A do të presë grekët e Olimpiakosit që mbajnë vendin e dytë me 6 pikë, po aq sa ka edhe Juventusi i vendit të tretë. Bardhezinjtë luajnë ndaj Malmos në Suedi ku rezultati i vetëm që u bën punë është fitorja.

Në grupin B, Reali i kualifikuar luan në Zvicër përballë Bazelit të vendit të dytë. Me sigurimin e vendit të parë në grup dhe me kualifikimin, objektiv ndoshta këtë mbrëmje do të jetë shënimi i sa më shumë golave nga Cristiano Ronaldo për të kapur Lionel Messi-n, që një natë më parë theu rekordin e Raul duke u ngjitur në 72 gola të shënuar në Ligën e Kampioneve.

Po në këtë grup, Liverpuli ka alternativë të vetme fitoren përballë Ludogoretsit në Bullgari për të patur shpresa për kualifikim.

Në grupin C, Leverkuseni i vendit të parë pret Monakon e vendit të dytë, ndërsa në orën 18:00 Zeniti do të luajë sfidën me Benfikën në Rusi.

Kryendeshja e kësaj dite mund të konsiderohet ajo mes Arsenalit dhe Dortmundit për grupin D. Si anglezët ashtu edhe gjermanët nuk janë duke kaluar një periudhë të mirë në kampionatet respektive, por në Europë është krejt e kundërta. Dortmundi kryeson grupin me 12 pikë, ndjekur nga Arsenali me 7. Në Belgjikë, Anderlehti i Besnik Hasit do të presë turqit e Gallatasarajit, në një ndeshje që duket se do të përcaktojë vendin e tretë të grupit.

Top Channel