Juventus, Tevez: Në Champions, si në Serie A

25/11/2014 00:00

Sulmuesi i Juventusit, Carlos Tevez, ka bërë thirrje ndaj shokëve të skuadrës të përsërisin formën e shfaqur në Serie A, për të triumfuar në përballjen e Champions League ndaj Malmos, të mërkurën.

Gjigantët nga Torino do të udhëtojnë drejt Suedisë në kërkim të fitores së parë në transfertë këtë sezon në Europë, pas humbjeve ndaj Atletico Madridit dhe Olympiacosit, në grupin A.

Këto humbje e kanë zbritur Juventusin në vendin e tretë, me pikë të barabarta nga 6 me grekët e Olympiacosit, të cilët janë të dytët me golavarazh më të mirë. Atletico është 3 pikë përpara tyre në krye të grupit, kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje për t’u zhvilluar.

Forma e Juventusit në kampionatin italian ka qenë shumë herë më e mirë, teksa 3 herë kampionët në fuqi vijojnë të mbeten në krye të Serie A, me 3 pikë më shumë se Roma, pasi siguruan të shtunën fitoren e 10, nga 12 ndeshje të zhvilluara, kundër Lacios.

“Fokusi ynë do të jetë i gjithi te Malmo tani”, tha Tevez për të përditshmen sportive torineze “Tuttosport”. “Të mërkurën duhet të luajmë me të njëjtën vendosmëri siç luajtëm ndaj Parmës apo Lacios këto dy ndeshjet e fundit. Nëse bëjmë këtë, atëherë do të jetë e vështirë të na ndalin. Jemi duke luajtur mirë dhe taktikisht kemi gjetur balancimin e duhur”.

Ndërkohë, trajneri Massimiliano Allegri e di mirë se një dështim të mërkurën do të jetë tepër i kushtueshëm për ekipin e tij. Juventusi do të presë Atleticon më 9 dhjetor në ndeshjen e fundit në grup. “Duhet të marrim 6 pikë në këto dy ndeshje – tha ai. – Ndërsa 4 mund të ishin të mjaftueshme për t’u kualifikuar. Ndoshta na ndihmojnë edhe 3, nuk i dihet. Olympiacos është përpara nesh në përballjet direkte, por atyre u duhen 6 pikë për t’u kualifikuar matematikisht, kështu që gjithçka është e hapur”.

Top Channel