Eurodeputetja belge dënon dhunën në ndeshjen Serbi-Shqipëri

23/11/2014 00:00

Padrejtësitë e ndeshjes së 14 tetorit Serbi- Shqipëri u dënuan në miniplenaren e nëntorit në Bruksel, nga eurodeputetja socialiste belge, Maria Arena, e cila ishte kontaktuar nga deputeti belg me origjinë shqiptare, Amet Gjanaj, i indinjuar për thirrjet raciste të dëgjuara në stadiumin e Beogradit kundër shqiptarëve.

“Ajo më priti shumë mirë dhe më vuri në kontakt me bashkëpunëtorin e saj për të përgatitur një reagim të saj që ajo do ta shprehte në seancë plenare, gjë që e ka bërë”, u shpreh Amet Gjanaj, deputeti socialist i Brukselit.

“Në muajin tetor ishte ndeshja Serbi-Shqipëri ku diçka e patolerueshme ndodhi, veçanërisht kur pamë se çfarë u bë në stadium me goditjet dhe plagosjet ndaj lojtarëve shqiptarë. E kuptoj që me siguri Bashkimi Europian nuk mund t’i ndërhyjë UEFA-s, por Komisari për zgjerimin dhe Përfaqësuesja e Lartë duhet të nënvizojnë mirë përgjegjësitë për t’u zbatuar mes palëve, në mënyrë që incidente të tilla të mos përsëriten më dhe mbi të gjitha, të zgjasë investimi i përpjekjeve të mëdha të bëra për stabilizimin e rajonit. Ndonjëherë mjafton shumë pak që tribunat e futbollit të shndërrohen në një laborator dhe ne duhet të jemi të vëmendshëm për atë çfarë ka ndodhur”, deklaroi Maria Arena, eurodeputetja belge.

Ndërkohë deputeti belg me origjinë shqiptare, Amet Gjanaj shtoi: “Ky është vetëm fillimi dhe unë tashmë mora premtimin se do të futem në kontakt me të gjithë personalitetet e grupit parlamentar eurosocialist dhe pastaj do të nisë puna për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan dhe pse jo edhe në lidhje me integrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë”.

Pas qëndrimit të njëanshëm të Përfaqësueses së Lartë të BE-së menjëherë pas ndeshjes Serbi- Shqipëri, Komisioni Europian dënoi, tre ditë më vonë, thirrjet raciste “vdekje e shqiptarëve” të tifozëve serbë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel