Hamilton: Më i lumtur se në vitin 2008

23/11/2014 00:00

Lewis Hamilton, kampioni i freskët i Formulës 1, deklaroi menjëherë pas fitores së Cmimit të Madh të Abu Dabit dhe njëkohësisht titullit të dytë botëror në karrierë se është më i emocionuar se në vitin 2008, atëherë kur fitoi kampionatin e parë.

“Falenderoj familjen, skuadrën dhe tifozët. Titulli i parë ishte i pabesueshëm, shumë i veçantë, por ndihem edhe më i lumtur sot”, tha në podium piloti britanik i Mercedesit.

Më tej, analiza e garës: “Bëra ndoshta nisjen më të mirë të karrierës. U nisa shumë shpejt dhe u shkëputa menjëherë. Duke qenë se nuk isha mirë në provat zyrtare, dhashë maksimumin në garë.”

Në fund, disa fjalë edhe për shokun e tij të skuadrës, Nico Rosberg, me të cilin ka pasur këtë sezon një rivalitet shumë të ashpër që ka çuar në prishjen e miqësisë mes tyre: “Nico ka garuar shkëlqyeshëm këtë vit dhe sot më përgëzoi. U tregua një profesionist i vërtetë. Edhe unë e përgëzoj pasi ka qenë një kundërshtar i jashtëzakonshëm.”

Top Channel