La Liga, Barça për të mos iu shkëputur Realit

21/11/2014 00:00

Barcelona mezi e pret rikthimin e La Ligës pas pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, kjo për shkak se periudha në fjalë u dominua nga dyshimet mbi të ardhmen e yllit të katalanasve, Lionel Messi.

Argjentinasi është shprehur për “Ole” gjatë fillimjavës se dëshiron të qëndrojë te klubi aktual, por “ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç i dëshirojmë ne”. Ky koment, së bashku me disa fjalë të të atit të tij, Jorge, i cili shtonte se do të merrej në konsideratë largimi nëse Barça do të donte ta shiste, kanë ngritur një valë spekulimesh, ashtu si dhe kanë nxitur mohimet e pafundme nga Barcelona.

Ndërkohë që do t’u duhet të përballen me Sevilla në “Camp Nou”, këtë të shtunë, trajneri Luis Enrique nuk e ka lënë pa prekur edhe temën e lojtarit. “Gjithmonë kam dëgjuar nga Leo se ndihet i lumtur në këtë ekip, ndaj dhe më mjafton kaq”, tha ai gjatë konferencës për shtyp përpara mediave spanjolle.

“Këtë shprehje të tij e marr si një mesazh që ai ndihet mirë këtu. Kjo më intereson, ndaj dhe nuk kam folur me Leon mbi intervistën e fundit të tij. Gjithmonë kam dëgjuar që ai po bën gjëra të mëdha te Barcelona, ndaj s’kam çfarë të shtoj”.

Në momentin kur të nisin ndeshjen ndaj Sevillas, Barça mund ta shohë veten 5 pikë larg rivalëve të Real Madridit kryesues, të cilët luajnë ndaj Eibarit më herët gjatë pasdites së të shtunës.

Ndërsa kampionët në fuqi, Atletico Madrid, do të ndeshen në shtëpi kundër Malagas, ekip që ka fituar 5 ndeshje radhazi duke u ngjitur në vendin e 6. Ndaj dhe trajneri Diego Simeone ka paralajmëruar lojtarët e tij për një ndeshje jo të lehtë. “Nuk na lejohen më gabimet, duhet ta konsiderojmë këtë ndeshje si një finale”, tha tekniku argjentinas.

Në ndeshjen tjetër të së shtunës, David Moyes, trajneri i shkarkuar nga Manchester United dhe i emëruar nga Real Sociedad, do ta nisë epokën e tij në transfertë me Deportivo la Coruna, dy ekipe që janë jashtë zonës së rënies nga kategoria falë golavarazhit më të mirë.

Top Channel